MIKROPLASTIKAT: NDOTJA E DHEUT HULUMTIM PJ.2
Përderisa e gjithë vëmendja është e fokusuar në ndikimet që mikroplastikat kanë në oqeanet tona, studiuesit thonë që shumica e mikroplastikave po akumulohen në tokë, duke përfshirë edhe zonat e bujqësisë.
Një vlerësim i bërë nga Environmental Science & Technology, sygjeron se çdo vit 107.000 deri në 730.000 ton të mikroplastikës mund të jenë duke u hedhur në dheun bujqësor në Sh.B.A dhe Evropë, në krahasim me 93.000 deri 236.000 ton që hyjnë në oqeane.
Sipas Lucas Nizzetto, një shkencëtar hulumtues në Institutin Norvegjez të Hulumtimit të Ujit thotë se një problem tjetër shqetësues janë mikroplastikat të cilat prodhohen qëllimisht, një burim tjetër i emetimeve të dhêut bujqësor. Këto përfshijnë plehun me lëshim të ngadaltë dhe veshjet plastike të destinuara për të mbrojtur farat nga mikroorganizmat.
Një raport tjetër i bërë në vitin 2017 për Komisionin Evropian, vlerëson se mbi 8,000 metrik ton plastikë vijnë nga plehu me lëshim të ngadaltë dhe transmetohen në tokat bujqësore çdo vit (edhe pse ata thonë se një përqindje e këtij kalkulimi mund të mos jenë vetëm mikroplastika). Në vitin 2019 një raport tjetër i Agjencisë Evropiane të Kimikateve (European Chemicals Agency) liston sasinë e emetimeve prej 10.000 metrik ton për plehun me lëshim të ngadaltë, dhe 500 metrik ton për farat e trajtuara çdo vit.
Kur mikroplastikat hyjnë në ambientin e dheut dhe kombinohen me ndotës të tjerë organik, kapaciteti i absorbimit rritet në mënyrë të konsiderueshme për shkak të madhësisë së vogël të partikulave dhe sipërfaqes së madhe, që luan rol në ndryshimin fizik dhe kimik të dhêut duke ndikuar në shëndetin e ekosistemit të tij. Liu et al. (2017) ka hetuar ndikimin e mikroplastikave në karbonin organik të tretshëm në toke (DOC), nitrogjenin organik (DON), fosforin organik (DOP), koncentrim fosfati (PO43), hidrolazën e diacetatit të fluoresceinës (FDA) dhe aktivitetet e fenoloksidazës. Përqëndrimet e larta të mikroplastikës patën një efekt të rëndësishëm në përqëndrimet e DOC, DON, DOS, humusit dhe acidit fulvik pas 30 ditësh inkubacioni
De Souza Machado et al. (2019) hetoi efektet e katër mikroplastikave të përdorura zakonisht në strukturën e tokës dhe funksionin mikrobik. Ata matën ndikimin e mikroplastikës në densitetin e masës mikrobike, kapacitetin e mbajtjes së ujit dhe marrëdhënien funksionale midis aktivitetit mikrobik dhe agregatit të qëndrueshëm ndaj ujit, në një eksperiment 5-javor të kulturës së tokës. Gjetjet zbuluan se lloje të ndryshme të mikroplatikës kanë efekte të ndryshme. Për shembull, poliesteri mund të zvogëlojë sasinë e agregateve të qëndrueshme ndaj ujit në tokë, ndërsa polieteni rrit ndjeshëm sasinë e agregateve të qëndrushme ndaj ujit në tokë. Zvogëlimi i agregateve të qëndrueshme ndaj ujit redukton ndjeshëm diversitetin e mikromjedisit të tokës.
IMPAKTI NË KRIMBAT E TOKËS
Aktualisht, krimbat e tokës janë gjallesat më të studiuara të dhêut. Ata mund të transportojnë mikroplastikat prej sipërfaqes së dhêut në shtresat më të thella duke e rritur përhapjen e tyre. Sidoqoftë, shumë pak studime janë bërë në efektet molekulare dhe biokimike të mikroplastikës në faunën e tokës.
Cao et al. (2017) në studimet e tyre sugjeron se mikroplastikat pengojnë në mënyrë të konsiderueshme rritjen e krimbave të tokës në koncentrime të ndryshme prej 1% dhe 2%, duke poseduar një efekt shumë toksik në to. Mikroplastikat hyjnë në trupin e krimbave pasi gëlltiten, shkaktojnë dëmtim të zorrëve, grumbullohen në trup dhe ndikojnë në ushqim dhe sekretim, që lidhet ngusht me mbijetesën e krimbit të tokës
Mikroplastika PE (Polietileni) tregon një efekt të qartë në dëmtimin histopatologjik dhe sistemin imunitar të krimbave të tokës, duke rritur përmbajtjen e proteinave, lipideve dhe polisaharideve të tyre me 10%. Në një studim tjetër që është bërë për përcaktimin e efektit të kombinuar të mikroplastikës në shkumë poliuretani dhe PBDE-ve (polybrominated diphenyl ethers) në krimbat e tokës zbulohet se PBDE-t mund të akumulohen në krimbat e tokës dhe kështu të afektojnë të gjithë organizmat tjerë përmes zinxhirit ushqimor. Si përfundim, mikroplastikat ndikojnë në norma riprodhuese, rritjeje dhe mbijetese tek krimbat e tokës.
Një shkencëtare e dhêut, Esperanza Huerta Lwanga e lidhur me Wageningen University & Research në Holandë dhe El Colegio de la Frontera Sur në Meksikë, ka hetuar efektet e mikroplastikave në krimbat e tokës. Krimbat e tokës, janë krijesa të njohura gjerësisht dhe të konsideruara si ndihmëse të bujqësisë për shkak të aftësive që kanë në dekompozim, rritjes të lëndëve ushqyese organike dhe përforcimin e ajrosjes së dhêut.
“Kur isha duke bërë hulumtimin në përhapjen e ndërvertebrorëve të dhêut në kopshte të shtëpive të ndryshme në Tabasko, Meksikë, gjeta mikroplastika dhe në këto kopshte ku gjindeshin mikroplastikat në dhê, nuk kishte krimba toke” thotë Huerta Lwanga për EHN
Ky observim e motivoi atë të studioj afër krimbat e tokës. Në eksperimentet e saja, ajo zbuloi se krimbat kishin tendencë të shmangin mikroplastikat, por kur koncentrimi i dhêut arrinte 7%, ata filluan të gëlltitnin ato së bashku me dhêun, duke përqëndruar plastikat në derdhjet e tyre dhe duke i transportuar ato në shtresat e ndryshme të dhêut. Në vitin 2018, ekipi i Huerta Lwanga paralajmëroi se uji i shiut rrjedh nëpër strofullat e krimbave të tokës në ujërat nëntokësore, duke krijuar një kanal të qartë për mikroplastikën që të hyjnë në sistemet e ujërave nëntokësore.
Ajo po ashtu pohon se mikroplastikat kanë rritur shkallën e vdekshmërisë prej 8%-25% në krimbat e tokës varësisht nga doza e gëlltitur. Në hulumtimin e tyre, ajo dhe kolegët e saj, supozuan se vdekshmëria mund të shkaktohet pjesërisht nga mikroplastika që gërryen traktin tretës të krimbave, duke iu bërë më të vështirë thithjen e lëndëve ushqyese. Dëmtimi i traktit tretës të krimbave të tokës që gëlltitin mikroplastikë është dokumentuar edhe nga studiues të tjerë.