A kontribuon ndotja plastike në ndryshimet klimatike?

Ndryshimet klimatike janë ndryshime afatgjata të strukturës së motit të cilat e definojnë klimën e tokës në aspekte lokale, regjionale dhe klimës globale.

Me fjalë tjera, klima është moti mesatar dhe i zakonshëm i një vendi për shumë vjet, kurse ndryshimi klimatik është kur ato kushte zhvendosen dhe ndryshojnë tejmase kushtet mesatare meteorologjike të atij vendi. Kriza e ndotjes plastike që dërrmon oqeanet dhe tokat tona është po ashtu një kërcënues i pashmangshëm i ndryshimit të klimës së Tokës.  Në vitin 2019, prodhimi dhe djegia e plastikës ka shtuar më shumë se 850 milion ton metrik të gazrave serrë në atmosferë që është e barabartë me 189 pesëqind-megavat termocentrale qymyri.

Lirimi i këtyre gazrave që kërcënojnë klimën globale fillon që nga ekstraktimi i plastikës e deri tek bërlloku që akumulohet nga hudhja e tepërt e saj.

Ekstraktimi dhe transporti i lëndëve djegëse për të krijuar plastikë prodhon gazra serrë specifik dhe konsumon afro 6% të naftës në botë që pritet të rritet deri në 20% në vitin 2050. Burimet e këtyre gazrave fillojnë me emetime direkte si rrjedhja e metanit, një gaz flakërues, emetime nga djegia e karburantit dhe konsumimi i energjisë në procesin e shpimit të tokës për të marrur naftë apo gaz, dhe emetimet që shkaktohen kur toka ku bëhen shpimet pastrohet nga pyjet dhe gjelbërimi që të krijojnë puseta dhe tubacione për procedurën e shpimit.

Rafinimi i plastikës është një nga liruesit më të mëdhenj të gazrave serrë dhe me rritjen më të shpejtë. Prodhimi i plastikës kërkon edhe energji të tepërt dhe krijon emetime intensive përmes plasaritjeve të alkaneve ne olefinë, polimerizimin dhe plastifikimin e olefinës në rrëshirë plastike dhe shumë kimikate tjera në procesin e rafinimit. Globalisht në vitin 2015, emetimet nga plasaritja për të prodhuar etilenin ishin 184.3-213.0 milion ton metrik, aq sa ndotin 45 milion makina me pasagjerë të vozitura për 1 vjet.

Në nivelet e tanishme, gazrat serrë që lirohen nga komplet cikli jetësor i plastikës kërcënojnë aftësinë e komuniteteve globale që të mbajnë temperaturat nën 1.5 gradë.

Plastika fillimisht ose hudhet në natyrë, ose çohet në deponi, riciklohet apo digjet. Në nivel absolut, deponimi i plastikës emeton më së paku gazra serrë nga të gjitha modelet tjera të procesimit edhe pse prezanton rreziqe tjera. Riciklimi ka një emetim modest, por e zëvendëson plastikën virgjine nga tregu, duke e bërë pak më të favorshme nga perspektiva e emetimeve. Djegia liron emetim ekstrem në atmosferë dhe është problemi primar i emetimeve nga keqmenaxhimi i mbeturinave.