GRUPI PAV

Në kuadër të edicionit të parë të Ditëve të Hapura të Laboratorit 2025, grupi PAV, i përbërë nga Pavarsi Mehmeti, Alma Mehmeti dhe Valbona Qiku, inicioi një projekt të fokusuar në dizajnimin dhe krijimin e filamentit për printerë 3D përmes ripërdorimit të shisheve plastike. Procesi që ato zhvilluan konsistonte në transformimin e mbetjeve plastike në një material të ri, funksional dhe të ripërdorshëm, duke kontribuar drejtpërdrejt në reduktimin e mbeturinave dhe promovimin e ripërdorimit kreativ.

Filamenti i prodhuar u përdor për printimin e modeleve tridimensionale të detajuara të molekulave kimike. Këto modele shërbyen si mjete praktike dhe vizuale në procesin e të mësuarit, duke i ndihmuar nxënësit të kuptojnë më mirë strukturën dhe vetitë e molekulave në orët e kimisë. Për më tepër, ky set molekulash 3D iu dhurua një shkolle publike, me qëllim lehtësimin dhe pasurimin e procesit të mësimdhënies dhe të nxënit në këtë lëndë.

Ky projekt përfaqësoi një shembull të qartë të integrimit të inovacionit teknologjik me përgjegjësinë mjedisore, duke promovuar një qasje të qëndrueshme dhe kreative në edukim, si dhe duke nxitur përdorimin e teknologjisë për të ofruar zgjidhje reale ndaj sfidave në shkolla.