LORA VEGA

Në kuadër të edicionit të dytë të Ditëve të Hapura të Laboratorit 2025, pjesëmarrësja Lora Vega prezantoi një projekt inovativ të fokusuar në përmirësimin e kushteve të të mësuarit në shkollën publike “Xhemail Mustafa”. Ajo solli një zgjidhje praktike dhe të qëndrueshme duke përdorur mbetje plastike dhe teknologjinë e printimit 3D për krijimin e mjeteve të nevojshme shkollore.

Ky projekt rezultoi veçanërisht në organizimin e një punëtorie praktike disa-ditore për nxënësit e kësaj shkolle, ku ata patën mundësinë të mësojnë drejtpërdrejt procesin e ripërdorimit të plastikës. Gjatë kësaj punëtorie, nxënësit u njohën me mënyrën se si mbetjet plastike përpunohen dhe transformohen në filament, i cili më pas përdoret në printimin 3D.

Përmes këtij procesi, ata jo vetëm që fituan njohuri teknike për përdorimin e teknologjisë 3D, por gjithashtu zhvilluan një kuptim më të thellë për rëndësinë e riciklimit dhe qëndrueshmërisë. Në fund, nxënësit arritën të krijojnë vetë modelet e tyre 3D të mjeteve shkollore, duke e bërë këtë përvojë një kombinim të vlefshëm të mësimit praktik, inovacionit dhe ndërgjegjësimit mjedisor.
