Shkundja e Përgjegjësisë: prodhuesit, ndotja dhe planeti

Në këtë artikull eksplorojmë një koncept interesant të quajtur “Përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit” [ang. Extended Producers Responsability, dim. EPR] - i cili është një mjet i fuqishëm që i bën prodhuesit e produkteve përgjegjës për ndikimin e tyre në mjedis. Nuk ka lidhje nëse nuk je ekspert teknik; ky artikull synon t’a shpjegojë në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme politikën EPR.

Kuptimi i “Përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit” (EPR)

Rikujtoje momentin kur ke ble’ një shishe ujë, dhe pasi e ke pirë ujin e ke pyetur veten se çfarë ndodh me shishen pasi t'a hedhësh? Momentalisht asgjë, shancat që riciklohet janë shumë të ulëta. 

Prandaj, na duhen politika ndihmëse si EPR. Kjo politikë kërkon nga prodhuesit e produkteve të marrin përgjegjësi për produktet dhe ambalazhet e krijuara prej tyre gjatë tërë ciklit të jetës - krijimi, përdorimi dhe hedhja. Kjo do të thotë se ata duhet t’i dizajnojnë, mbledhin, riciklojnë apo t’i asgjësojnë si duhet produktet apo mbetjet e tyre. Gjithçka lidhet me marrjen e iniciativës dhe krijimin e ndryshimit!

Qëllimet e Përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit (EPR): 

  1. Politikë e dizajnuar për të ardhme të qëndrueshme: EPR inkurajon prodhuesit të jenë inovatorë dhe të krijojnë produkte që janë miqësore ndaj mjedisit dhe lehtë për t'u ripërdorur. Kështu, duke bërë zgjidhje adekuate në dizajn produktet mund të zgjasin më gjatë dhe të reduktojnë dëmin ndaj mjedisit. 
  2. Përmirësimi i sistemeve të ripërdorimit/riciklimit: EPR synon të zvogëlojë mbeturinat dhe të nxisë përpjekjet e riciklimit. Prodhuesve nga kjo politikë do t’iu kërkohet të vendosin sisteme për të mbledhur, ripërdorur apo ricikluar produktet e tyre, duke siguruar që ato të mos përfundojnë në deponi dhe të mos shkaktojnë dëme mjedisore.
  3. Stimuj për Ndryshim Pozitiv: EPR përmban një sistem shpërblimesh dhe ndëshkimesh për të motivuar prodhuesit. Ata që i japin prioritet qëndrueshmërisë së mjedisit marrin vlerësim dhe shpërblime, ndërsa ata që nuk arrijnë të përmbushin pritshmëritë përballojnë pasoja. Është çështje e inkurajimit të veprimeve të përgjegjshme.

Për fund, përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit është një politikë që synon ndryshim të duhur në rrugën ndaj uljes së ndotjes dhe mbeturinave. Meqë, deri tani si konsumator jemi ndjerë përgjegjës për ndotjen dhe konsumin tonë, ndoshta ka ardhë koha që ta ndajmë përgjegjësinë me ata të cilët përfitojnë dhe na i mundësojnë produktet për konsum. Kjo nuk e heq fare përgjegjësinë tonë ndaj mjedisit dhe shëndetit që të jemi konsumator të përgjegjshëm, por krijon gjithëpërfshirjen e duhur duke i bërë prodhuesit poaq përgjegjës për produktet e tyre. Dhe si “partner të barabartë në krim”, duhet të mbështesim iniciativat e EPR, të kërkojmë dhe të zgjedhim produkte miqësore ndaj mjedisit dhe të marrim pjesë aktivisht në përpjekjet e ripërdorimit/riciklimit. 

Çdo veprim i vogël ka rëndësi dhe duke punu’ së bashku, mund të kemi një ndikim të madh. Është koha të pranojmë përgjegjësinë dhe të punojmë për shëndet.