Trashëgimia Toksike: Ekspozimi ndaj Mikroplastikës tek Fëmijët dhe Adoleshentët
Hyrje
Mikroplastika është kthyer në një shqetësim të përhapur, veçanërisht për grupet më të ndjeshëm, përfshirë fëmijët. Që nga momenti i lindjes dhe gjatë gjithë adoleshencës, fëmijët ekspozohen dhe hasin mikroplastikën përmes shumë aktiviteteve të përditshme dhe situatave mjedisore. Prandaj, kuptimi i këtyre burimeve është thelbësor për të mbrojtur shëndetin pediatrik dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik.
Mënyrat e Ekspozimit ndaj Mikroplastikës
Të porsalindurit ekspozohen ndaj mikroplastikës përmes objekteve të kujdesit bazë, si biberonët dhe pelenat njëpërdorimëshe të prodhuara nga polimere plastike. Me rritjen e tyre, ekspozimi shtohet përmes lodrave, enëve plastike e madje edhe ajrit që thithin. Qumështi i gjirit edhe pse konsiderohet si burimi më i sigurt dhe më pak i kontaminuar i ushqimit për foshnjat, studimet tregojnë se për shkak të pranisë së mikroplastikës në trupin e të rriturve, edhe të porsalindurit e konsumojnë atë në mënyrë të tërthortë.Megjithatë ekzistojnë edhe mënyra të tjera përmes të cilave foshnjat has mikroplastikën, përfshirë ujin e rubinetit dhe ujërat nëntokësore, të cilat përmbajnë rreth 72.32 grimca mikroplastike për litër, duke ndotur kështu burimet themelore.
Qumështi i ruajtur në shishe plastike, që përbëjnë shumicën e gotave dhe biberonëve për foshnjat, raportohet se lëshon rreth 16,200 grimca mikroplastike për litër. Po ashtu, trajtimet mjekësore si maskat plastike dhe ambientet e kujdesit për fëmijë shërbejnë si burime të tjera të mikroplastikës, duke lëshuar potencialisht qindra deri mijëra grimca që fëmijët mund t’i thithin (Sripada et al., 2022).
Mikroplastika te Adoleshentët
Adoleshentët ekspozohen ndaj mikroplastikës përmes ushqimit të paketuar në plastikë, sidomos në ushqimet “merr me veti”, enët plastike dhe ushqimet e shpejta. Çdo njëra nga këto mund të lëshojë mikroplastikë në ushqim, veçanërisht kur nxehen ose qëndrojnë për kohë të gjatë në kontakt me plastikën. Uji i rubinetit dhe ai i ambalazhuar, edhe pse shpesh konsiderohen të sigurt, gjithashtu mund të përmbajnë mikroplastikë për shkak të ndotjes së burimeve nëntokësore. Gjithashtu kripa e përdorur për gatim shton edhe më shumë mikroplastikë, pasi shpesh përmban grimca të përthithura nga mjedisi. Pëveç kësaj, një tjetër shqetësim është konsumi i ushqimeve detare, studimet kanë zbuluar dhjetëra grimca mikroplastike në peshk dhe molusqe për shkak të ndotjes plastike të oqeaneve (Lee et al., 2024).
Përfundim
Fëmijët dhe adoleshentët ekspozohen ndaj mikroplastikës përmes ushqimit, ujit, ajrit dhe produkteve të konsumit gjatë gjithë zhvillimit të tyre. Duke pasur parasysh pasojat e mundshme afatgjata për shëndetin, të cilat do të trajtohen në artikullin e radhës, është jetike të monitorohet dhe të reduktohet përdorimi i plastikës për të minimizuar ekspozimin ndaj mikroplastikës që në fazat e hershme të jetës. Rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i alternativave të qëndrueshme janë thelbësore për të mbrojtur shëndetin e gjeneratave të ardhshme.