Trashëgimia Toksike: Mikroplastikat dhe Implikimet në Shëndetin e Fëmijëve

Hyrje

Në artikullin e kaluar kemi folur për mënyrat se si fëmijët ekspozohen ndaj mikroplastikës (MP), por tani lind pyetja: sa të dëmshme janë ato dhe a paraqesin një rrezik serioz, shpesh të nënvlerësuar, për shëndetin e fëmijëve dhe adoleshentëve? Edhe pse tashmë dihet se ato grumbullohen në mjedis, ende jemi duke mësuar për ndikimin që kanë në shëndetin tonë, sidomos gjatë fazave të rëndësishme të rritjes dhe zhvillimit. Studime të reja tregojnë se kimikatet e lidhura me mikroplastikën mund të shkaktojnë probleme serioze për trurin dhe trupin.

Ndikimi në Zhvillimin e Trurit dhe Efektet si Autizmi

Hulumtimet tregojnë se mikroplastika mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e trurit, veçanërisht gjatë shtatzënisë. Ekspozimi ndaj MP-ve mund të ndryshojë mënyrën se si truri përpunon emocionet, kujtesën dhe sjelljen. Në disa raste, këto ndryshime ngjajnë me shenjat e autizmit, si vështirësitë në kujtesë apo ndërveprim shoqëror. Kjo është shqetësuese sepse sugjeron që MP-të mund të ndërhyjnë në zhvillimin normal të trurit të fëmijës, duke çuar potencialisht në probleme njohëse dhe sjellore në të ardhmen. Kjo bëhet edhe më alarmante në një kohë kur numri i rasteve të diagnostikuara me autizëm është në rritje (Ragusa, 2022).

Ulja e Inteligjencës Shkaku i Kimikateve në Plastikë

Një shqetësim tjetër lidhet me një grup kimikatesh të quajtura polybrominated diphenyl ethers (PBDE), që përdoren shpesh në plastikën rezistente ndaj zjarrit. Studimet tregojnë se gratë shtatzëna me nivele të larta të PBDE-ve në trup (për shkak të ekspozimit), kanë më shumë gjasa të lindin fëmijë me rezultate më të ulëta në testet e IQ-së apo Koeficientit të inteligjencës. Këto kimikate mund të ndikojnë gjithashtu në vëmendje, kujtesë dhe funksione të tjera të trurit (S. Betts, 2013).

Rreziqet nga Kadmiumi në Lodrat Plastike

Kadmiumi është një metal i rëndë toksik që ndodhet në disa lodra plastike, veçanërisht ato me ngjyra të ndritshme. Edhe në nivele të ulëta, ekspozimi ndaj kadmiumit është shumë i rrezikshëm dhe është lidhur me kancerin, sëmundjet e zemrës dhe vdekjen e hershme. Meqenëse shumë lodra për fëmijë përmbajnë kadmium, kjo nxit shqetësime për ekspozim të vazhdueshëm dhe problemeve të mundshme shëndetësore që mund të shfaqen më vonë në jetë (Landrigan PJ, 2023).

Probleme me Frymëmarrjen nga Mikroplastika

Mikroplastika mund të ngjitet në mushkëri, duke shkaktuar inflamacion dhe probleme të tjera të frymëmarrjes. Hulumtimet sugjerojnë se MP-të mund të dëmtojnë funksionin e qelizave të mushkërive, duke kontribuar në sëmundje si astma, bronkiti dhe sëmundja pulmonare obstruktive kronike. Dëmet që shkaktojnë këto grimca të vogla plastike mund të përkeqësojnë frymëmarrjen me kalimin e kohës (Zhang, 2024).

Thirrje për Veprim

Studimet tregojnë se fëmijët janë të ekspozuar çdo ditë ndaj mikroplastikës, ndonjëherë që para lindjes. Që nga ndryshimet në zhvillimin e trurit që ngjajnë me autizmin, te ulja e IQ-së dhe rreziqet afatgjata shëndetësore, efektet e mikroplastikës janë të shumta dhe shqetësuese. Me rritjen e provave për dëmet që shkaktojnë, është urgjente që të ndërmarrim veprime për të kufizuar ekspozimin, veçanërisht tek gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël.

Për të mbrojtur gjeneratat e ardhshme, nevojiten rregullore më të forta për përdorimin e plastikës, më shumë ndërgjegjësim për rreziqet që paraqet, dhe kërkime të vazhdueshme për alternativa më të sigurta. Vetëm kështu mund të fillojmë të ulim kërcënimet e fshehura shëndetësore që i sjell mikroplastika.