Trashëgimia Toksike: Si po e Ndotin Mikroplastikat Trurin Tonë?
Studimet e fundit alarmuese po tregojnë se mikro dhe nano-plastikat mund të depërtojnë në trurin e njeriut përmes disa rrugëve të ndryshme, duke shkaktuar stres oksidativ, neuroinflamacion dhe çrregullime të ndryshme. Edhe pse këto hulumtime janë ende të kufizuara, ato theksojnë urgjencën për studime më të thelluara dhe nevojën për politika parandaluese e rregullore më të forta mbi prodhimin e plastikës dhe ndotjen masive që ajo shkakton në mjedis.
Si hyjnë Mikro dhe Nano-plastikat në Tru?
Ekspozimi ynë ditor ndaj grimcave plastike ndodh në shumë mënyra e burime të ndryshme. Paketimet ushqimore, veçanërisht enët që ngrohen, lëshojnë sasi të mëdha mikroplastikash në ushqimin tonë, ndërsa ushqimet detare dhe kripa e ndotur bartin grimca nga ndotja oqeanike direkt në pjatat tona (Prüst, 2020). Edhe ajri i brendshëm përmban fibra plastike nga tekstilet sintetike, tapetat dhe materialet e tjera sintetike, duke e bërë përthithjen e tyre pothuajse të pashmangshme.
Për më tepër, pandemia e Covid-19 e ka rritur ekspozimin tonë, përmes përdorimit të shtuar të maskave njëpërdorimëshe, dorezave dhe materialeve të paketimit, duke krijuar më shumë mënyra dhe kushte që grimcat plastike të hyjnë në trupin tonë (Haldar, 2022).
Pasi hyjnë në trup, këto grimca ndjekin disa rrugë për të arritur në tru. Një nga faktet më shqetësuese është rruga direkte përmes nuhatjes, ku grimcat e thithura përmes hundës mund të udhëtojnë drejtpërdrejt në tru, duke anashkaluar plotësisht barrierën gjak-tru (Liao, 2024).
Pasojat në Shëndetin e Trurit
Grumbullimi i grimcave plastike në indet e trurit shkakton një varg dëmtimesh neurologjike. Studimet tek kafshët tregojnë në mënyrë të qëndrueshme se mikro- dhe nano-plastikat nxisin stres të fortë oksidativ, duke gjeneruar molekula të dëmshme të quajtura specie reaktive të oksigjenit, të cilat dëmtojnë neuronet dhe prishin funksionimin normal të trurit (Ruparel, P. 2024).
Stresi oksidativ përfaqëson një çekuilibër mes prodhimit të radikaleve të lira dhe aftësisë së trupit për t’i neutralizuar ato me antioksidantë. Ky çekuilibër mund të dëmtojë qelizat dhe indet, dhe lidhet me plakjen dhe sëmundje kronike si kanceri, Alzheimeri dhe sëmundjet e zemrës.
Për më tepër, një ndër zbulimet më shqetësuese është dëmtimi i mitokondrive (organeleve që prodhojnë energji në qeliza) si pasojë e ekspozimit ndaj nanoplastikave. Studimet e fundit tregojnë se këto grimca prishin prodhimin e energjisë në qeliza, duke shkaktuar ulje të ATP-së (një gjendje ku qelizat humbasin adenozin trifosfatin, duke ndaluar proceset jetësore si sinteza e proteinave, sinjalizimi qelizor dhe transporti) dhe aktivizim të tepërt të mitofagjisë, procesit për heqjen e mitokondrive të dëmtuara (Baroni, A. 2025).
Kjo krizë mitokondriale lidhet drejtpërdrejt me humbjen e lidhjeve nervore (dendriteve), degradimin sinaptik dhe rënie të aftësive njohëse tek kafshët laboratorike, përfshirë probleme me të mësuarit, kujtesën dhe sjelljen sociale.
Sistemet e neurotransmetuesve gjithashtu pësojnë ndryshime të mëdha: studimet raportojnë çrregullime në kimikatet e trurit që rregullojnë humorin, njohjen dhe sjelljen (Zheng, 2024). Këto zbulime japin shpjegim mekanik për sjelljet e ngjashme me ankthin dhe problemet njohëse të vërejtura tek kafshët e ekspozuara.
Përfundim
Depërtimi i grimcave plastike në trurin e njeriut paraqet një kërcënim të thellë dhe të nënvlerësuar për shëndetin neurologjik. Edhe pse shumica e provave vijnë nga studime në kafshë, ato tregojnë qartë mekanizmat e neurotoksicitetit që plastika mund të shkaktojë.
Ndërsa prodhimi i plastikës vazhdon të rritet në mënyrë të pakontrolluar, ne po përballemi me një fazë kritike kohe për të parandaluar një epidemi të mundshme të çrregullimeve neurologjike të shkaktuara nga plastika. Koha për veprim paraprak është tani, para se të kuptojmë plotësisht pasojat shkatërruese afatgjata të jetesës në një botë të mbuluar me plastikë.