Eksporte Toksike, të Ardhme të Vjedhura: Kostoja e Kolonializmit përmes Mbeturinave Plastike
Kolonializmi përmes mbeturinave plastike i referohet praktikës ku shtetet me të ardhura të larta eksportojnë mbetjet e tyre plastike, shpesh nën maskën e riciklimit, drejt vendeve me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Kjo nuk përfshin vetëm zhvendosjen e mbetjeve, por edhe barrën mjedisore, shëndetësore dhe sociale që ato sjellin. Kjo formë e padrejtësisë mjedisore pasqyron strukturat shfrytëzuese të kolonializmit dhe prek në mënyrë disproporcionale popullatat e margjinalizuara që nuk kanë ndikim real në ekonominë globale të plastikës. Problemi është i lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtën për shëndet, ujë të pastër dhe një mjedis të shëndetshëm. Pavarësisht ndërgjegjësimit global në rritje, kjo praktikë ende vazhdon për shkak të qeverisjes së dobët mjedisore, pabarazisë ekonomike dhe padrejtësive sistemike në marrëdhëniet tregtare globale (Shennum, K. 2024) (Stoett, P. 2024).
Fenomeni i “Kolonializmit përmes mbeturinave” funksionon përmes disa mekanizmave të ndërlidhur:
- Eksporti i drejtpërdrejtë i mbetjeve: Vendet e zhvilluara eksportojnë mbetje drejt vendeve më pak të zhvilluara, shpesh nën pretendimin e riciklimit.
- Mbetjet që përfundojnë nëpër brigje si pasojë e akumulimit indirekt: për shkak të mbi-prodhimit të produkteve të plastikës dhe tregtisë në sistemin kapitalist.
- Tregtia kriminale e mbetjeve: Eksportet/importet e paligjshme, të fshehura dhe të paregjistruara, që e bëjnë thuajse të pamundur për vendet pritëse të monitorojnë apo rregullojnë atë që hyn brenda kufijve të tyre.
Në vitin 2021, Bashkimi Evropian (BE) ishte eksportuesi më i madh në botë i mbetjeve plastike, i ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe Japonia. Brenda BE-së, Holanda me një popullsi prej vetëm 18 milionë banor, ishte eksportuesja më e madhe e mbetjeve plastike drejt vendeve jashtë OBZHE-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), duke eksportuar mbi 200 milionë kilogramë, prej të cilave rreth 70 milionë kilogramë shkuan në Indonezi dhe gati 64 milionë në Vietnam.
Kështu, Holanda është ndër kontribueset më të madhja në tregtinë globale të mbetjeve plastike, duke zhvendosur barrën e ndotjes plastike tek vendet më të varfra, të cilat tashmë përballen me vështirësi të mëdha në menaxhimin e mbetjeve të tyre vendore (Danton, H.; Walker, T.R. 2024).
Roli i Politikave Ndërkombëtare: Çfarë është OBZHE?
Dinamika globale e tregtisë me mbetje plastike forcohet edhe nga marrëdhëniet të pabarabarta, ku pushteti është i ngulitur në institucione ndërkombëtare si Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZHE). E themeluar më 1961, OBZHE përbëhet kryesisht nga vende të pasura, të industrializuara nga Veriu Global, përfshirë SHBA-në, Japoninë, Gjermaninë dhe Australinë. Këto vende bashkëpunojnë në politikat ekonomike dhe mjedisore, por gjithashtu kontrollojnë narrativën dhe rregullat që lidhen me tregtinë globale, përfshirë edhe lëvizjen e mbetjeve.
Në të kundërt, vendet jashtë OBZHE-së si Indonezia, Brazili, Kenia dhe shumica e Ballkanit, përballen me disavantazhe strukturore: zbatim të dobët të legjislacionit mjedisor, kapacitete të kufizuara industriale dhe varësi ekonomike nga tregtia e jashtme (Ulku, H. 2007). Këto pabarazi u mundësojnë vendeve të OBZHE-së të externalizojnë kostot mjedisore të konsumit të tyre ndërkohë që pozicionohen si liderë në qëndrueshmëri mjedisore në shtetet e tyre.
Një studim i vitit 2005 rreth pabarazisë së të ardhurave në Evropën Lindore thekson se integrimi në tregun global shpeshherë e përkeqëson pabarazinë në vend që ta zbusë atë (Milanovic & Squire, 2007), duke i bërë këto rajone edhe më të ndjeshme ndaj hedhjes së mbetjeve në mjedis dhe shfrytëzimit. Ballkani, për shembull, ndonëse gjeografikisht pjesë e Evropës, mbetet i margjinalizuar politikisht dhe ekonomikisht, andaj edhe nuk është imun ndaj kolonializmit përmes mbetjeve plastike.
Ndikimet në Shëndet dhe Mjedis
Keq-menaxhimi përfshin grumbullimin e mbetjeve në ambiente të hapura, djegien pa kontroll dhe incenerimin, të cilat lirojnë kimikate të rrezikshme dhe mbetje plastike e mikroplastike që ndotin gjerësisht mjedisin lokal. Kjo ndotje shkakton ndikime serioze si në ekosisteme ashtu edhe në shëndetin njerëzor.
Ndotja përfshin lëshimin e ndotësve toksikë si dioksinat, furanet dhe grimcat e imta (PM), të lidhura me sëmundje të frymëmarrjes, kancer dhe çrregullime zhvillimore.
Punëtorët e menaxhimit të mbetjeve dhe komunitetet pranë tyre janë të ekspozuar ndaj kimikateve të dëmshme nga mbetjet plastike, gjë që çon në probleme serioze shëndetësore si dëmtimi hormonal dhe probleme të frymëmarrjes, duke i bërë këta individë më të prekurit nga kjo krizë (Shennum, K. 2024).
Përfundim
Kolonializmi përmes mbetjeve plastike nuk është thjesht një çështje mjedisore, ai është një dështim i thellë moral i sistemit ekonomik global. Ai pasqyron dhe forcon padrejtësitë strukturore që i lejojnë vendet e Veriut Global të mbiprodhojnë dhe mbikonsumojnë plastikë, ndërkohë që zhvendosin dëmet tek vendet më të varfra dhe më pak të fuqishme.
Zgjidhja e kësaj krize kërkon më shumë sesa teknologji më të mira riciklimi. Kërkon ndryshim sistemik: rregullore ndërkombëtare më të forta për eksportin e mbetjeve, transparencë në të dhënat tregtare dhe korniza ligjore detyruese që të mbajnë përgjegjëse vendet eksportuese të mbetjeve.