Mbetjet Plastike janë Krizë për të Drejtat e Njeriut – Jo Thjesht një Problem Mjedisor
Hyrje
Mbeturinat plastike dhe ndotja që ato shkaktojnë janë bërë një çështje globale që ndikon në mënyra të ndryshme te jeta e egër dhe natyra. Megjithatë, pasojat negative që lidhen me aspektet sociale dhe shëndetin e njeriut shpesh anashkalohen dhe nuk njihen mirë nga opinioni publik. Këto pasoja kanë ndikime të drejtpërdrejta në të drejtat e njeriut, duke përfshirë drejtësinë mjedisore, pasojat shëndetësore, ndikimet ekonomike, si dhe çështjet e politikave dhe rregulloreve. Prandaj, në këtë artikull do të japim një përmbledhje të gjerë, ndërsa në artikujt e ardhshëm do të thellohemi në secilën nga këto tema.
Çështje Kryesore në Drejtësinë Mjedisore
Menaxhimi i mbeturinave ndikon fuqishëm në grupet e margjinalizuara, veçanërisht në Jugun Global, ku rregulloret për çështjet mjedisore janë të dobëta dhe menaxhimi është shpesh i papërshtatshëm. Ky fenomen njihet edhe si “Kolonializmi pëmes Mbeturinave Plastike”, ku vendet me të ardhura të larta eksportojnë mbeturinat plastike në vende me të ardhura të ulëta, duke thelluar padrejtësitë mjedisore (Stoett, 2024).
Vendet e pasura ose ish-koloniale shpesh i eksportojnë mbeturinat plastike në vende që janë në zhvillim dhe post-koloniale. Shumica e këtyre mbeturinave përfundojnë në depo mbeturinash dhe më pas digjen, duke liruar kimikate shumë toksike në mjedis. Kjo praktikë përbën shkelje të të drejtave të njeriut për komunitetet lokale, përfshirë të drejtën për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm (Shennum, 2024). Si rezultat, grupet e margjinalizuara, përfshirë pakicat racore dhe etnike, popujt indigjenë dhe komunitetet me të ardhura të ulëta, janë ato që vuajnë më së shumti nga ndotja plastike. Për më tepër, këto komunitete shpesh nuk kanë burime për t'u përballur me pasojat mjedisore dhe shëndetësore të mbeturinave plastike.
Pasojat Shëndetësore
Pasojat shëndetësore nga mbeturinat plastike janë të gjera dhe ato ndikojnëtek njerëzit gjatë gjithë ciklit të tyre jetësor, nga prodhimi deri te shpërbërja. Kimikatet që gjenden në plastikë depërtojnë në mjedis dhe hyjnë në trupin e njeriut, duke shkaktuar probleme të ndryshme shëndetësore. Këto përfshijnë substanca kancerogjene, neurotoksina dhe ndërprerës endokrinë si ftalatet, bisfenolët dhe PFAS (të cilat janë kompozime organike alifatike të florizuara, substanca sintetike). Në mesin e këtyre bëjnë pjesë 4500 substanca të ndryshme të prodhuara nga njeriu, të quajtura nga ekspertët si “kimikate të përjetshme”. Këto kimikate mund të shkaktojnë kancer, çrregullime të riprodhimit dhe probleme zhvillimore (Landrigan PJ, 2023).
Foshnjat, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna janë veçanërisht të ndjeshme ndaj efekteve të këtyre kimikateve. Studimet kanë treguar se ekspozimi në fazat e hershme të jetës lidhet me rritje të rrezikut për lindje të parakohshme, peshë të ulët të lindjes, defekte të lindjes dhe dëmtime në zhvillimin neurologjik (Landrigan PJ, 2023).
Pasojat Ekonomike
Pasojat ekonomike të mbeturinave plastike janë të mëdha dhe ndikojnë si tek individët, ashtu edhe tek shoqëri në tërësi. Edhe pse plastika sjell përfitime ekonomike, kostoja e prodhimit, përdorimit dhe asgjësimit shpesh i tejkalon këto përfitime, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta.
Kostot shëndetësore që lidhen me prodhimin dhe ndotjen nga plastika janë të mëdha. Për shembull, në vitin 2015 në SHBA, kostot e shërimit të ndërlikimeve shëndetësore qe ndodhin si pasoj e prodhimit të plastikës kapërcyen shifrën 250 miliardë dollarë; më shumë se PBB-ja (Prodhimi i Brendshëm Bruto) e Zelandës së Re apo Finlandës në atë vit. Ndërkohë, kostot mjedisore të ndotjes plastike, përfshirë ndikimin në ekosistemet detare dhe biodiversitetin, janë gjithashtu shumë të rëndësishme. Këto kosto zakonisht nuk i mbulon industria plastike, por i bart shoqëria civile (Landrigan PJ, 2023).
Gjithashtu, përfitimet ekonomike nga prodhimi dhe përdorimi i plastikës janë të përqendruara në duart e një pakice, ndërsa kostot i përballojnë komunitetet më të pambrojtura. Kjo thellon pabarazitë ekonomike dhe minon përpjekjet për zhvillim të qëndrueshëm (Karasik, 2023).
Çështje të Politikave dhe Rregulloreve
Ndërkohë që studimet tregojnë qartë ndikimet e mëdha negative të plastikës dhe statistikat alarmante që lidhen me shkelje të të drejtave të njeriut, është evidente se ekzistojnë boshllëqe të mëdha në politikat dhe rregulloret mjedisore. Sfidat vazhdojnë për shkak të zbatimit të paqëndrueshëm, mungesës së harmonizimit mes rajoneve dhe infrastrukturës së pamjaftueshme.
Disa vende perëndimore, përfshirë edhe Kosovën, kanë miratuar rregullore për menaxhimin e mbeturinave plastike, por zbatimi jo i njëtrajtshëm mbetet problem madhor. Kjo ndodh për shkak të ndryshimeve në nivelin e përkushtimit dhe burimeve mes qeverive lokale, çka çon në rezultate të dobëta të politikave (Shahnawaz et al., 2019).
Vendet në zhvillim përballen me sfida për shkak të infrastrukturës së pamjaftueshme për menaxhimin e mbeturinave, gjë që ndikon në zbatimin efektiv të politikave kundër mbetjeve plastike veçanërisht duke marrë parasysh historinë e tyre koloniale dhe pasojat e saj të vazhdueshme. Kjo është veçanërisht e dukshme në vendet si India, ku mungesa e mbledhjes dhe ndarjes së mbeturinave përkeqëson problemin e ndotjes plastike (Hishan et al., 2023).
Përfundim
Ndikimi i mbeturinave plastike në të drejtat e njeriut është një çështje shumë serioze që kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar. Adresimi i drejtësisë mjedisore, pasojave shëndetësore, ndikimeve ekonomike dhe boshllëqeve në politika dhe rregullore është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Duke i dhënë përparësi mbrojtjes së popullatave të pambrojtura, promovimit të praktikave të qëndrueshme dhe përfshirjes së komuniteteve në vendimmarrje, mund të punojmë për një të ardhme ku mbeturinat plastike nuk paraqesin më kërcënim për të drejtat e njeriut