Shkelja e të Drejtave të Njeriut dhe Pabarazia Gjinore në Sektorin e Menaxhimit të Mbeturinave
Ndotja nga plastika nuk pasqyron vetëm një problem mjedisor, por edhe një krizë të thellë të të drejtave të njeriut dhe shkeljeve që prekin miliona punëtorë mbetjesh në mbarë botën. Në këtë artikull do të shqyrtohen të drejtat e punës, rreziqet shëndetësore dhe diskriminimi gjinor. Duke u mbështetur në hulumtimet e fundit dhe raste studimore nga India, Afrika dhe vende të tjera aziatike, të cilat janë viktima të “kolonializmit përmes mbeturinave”, artikulli argumenton nxitje për reforma të menjëhershme politike që njohin kontributin e mbledhësve të mbetjeve, mbrojnë të drejtat e tyre dhe sigurojnë masa mbrojtëse si dhe barazi gjinore.
Forca Punëtore e Padukshme mbrapa Riciklimit të Mbetjeve
Forca punëtore përbëhet nga rreth 34 milionë punëtorë mbledhës mbetjesh që mbledhin, ndajnë dhe përpunojnë manualisht materiale të riciklueshme, përfshirë plastikën, në kushte jashtëzakonisht shfrytëzuese. Këto punë informale kryhen kryesisht nga individë të margjinalizuar dhe pakica etnike që ofrojnë shërbime thelbësore për mjedisin (O'Hare, P. A. G., & Nøklebye, E. 2024). Ata merren me mbetje plastike toksike pa mbrojtje të mjaftueshme, fitojnë paga shumë minimale dhe përballen me diskriminim dhe dhunë sistematike. Gjithashtu gratë, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të kësaj fuqie punëtore, përjetojnë shtresa shtesë të cenueshmërisë, përfshirë ngacmimet seksuale, rreziqet për shëndetin riprodhues dhe diskriminimin gjinor në paga (Chikarmane, P. 2012).
Studimet vlerësojnë se këta punëtorë rikuperojnë 50-80% të materialeve të riciklueshme në qytetet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, duke kontribuar ndjeshëm në sistemet komunale të menaxhimit të mbeturinave, pa ndonjë mirënjohje apo kompensim formal të merituar (Wilson, D. C., Velis, C., & Cheeseman, C. 2006). Shumica e mbledhësve të mbetjeve operojnë në zona gri ligjore, pa njohje zyrtare si punëtorë nga autoritetet. Si rezultat, ata përjashtohen nga mbrojtja ligjore si ajo e pagave dhe standarteve të punës. Ata nuk kanë qasje në kontrata formale, siguri në punë apo mekanizma ankese (Schenck, C. J. 2016).
Një nga problemet më të mëdha fizike është mungesa e pajisjeve personale mbrojtëse, ku shumë hulumtime në terren gjejnë pothuajse pa përdorim të tyre tek punëtorët informalë. Studimet në Bangladesh, Indi, Kenia dhe Gana raportojnë se 80-90% e tyre nuk kanë pajisje bazë si doreza, çizme, maska apo veshje mbrojtëse. Arsyet kryesore janë kostoja më e lartë se sa fitimet ditore, mungesa e mekanizmave institucionalë që ofrojnë pajisje falas dhe mungesa e trajnimeve mbi rreziqet profesionale dhe masat mbrojtëse (Hasan, M. 2025).
Përtej problemeve fizike, shëndeti mendor dhe dëmet psikologjike janë përvoja të vazhdueshme për punëtorët, duke ndikuar thellë në mirëqenien e tyre. Stigmatizimi dhe përjashtimi shoqëror janë pjesë e diskriminimit, poshtërimit dhe izolimit që sjell stres kronik, ankth dhe depresion (Uddin, S. M. N. 2018). Pasiguria ekonomike është një tjetër faktor që vjen si rezultat i të ardhurave të paqëndrueshme, mungesës së kursimeve dhe cenueshmërisë në tregun e punës (Gutberlet, J. 2017).
Për shkak të stigmatizimit të profesionit të tyre, punëtorët shihen si “të ndyrë”, “të ndotur” dhe inferiorë, ndërsa në shumë kontekste ata janë edhe nga komunitetet që historikisht kanë qenë të margjinalizuar (Hayami, Y. 2006).
Dhuna me Bazë Gjinore dhe Hendeku në Paga
Pëgjatë këtyre hulumtimeve del në pah një aspekt tjetër i errët i të qenurit grua në këtë profesion. Gratë përbëjnë 40-60% të fuqisë punëtore globale në mbledhjen e mbetjeve, por përballen me diskriminime të shumëfishta në krahasim me burrat. Ato fitojnë 20-40% më pak se burrat për orë pune të barabarta, madje shpesh më të gjata. Ato pëcaktohen të punojnë me mbetje me vlerë më të ulët, si plastika apo mbetjet organike, ndërsa burrat kontrollojnë qasjen në mbetje me vlerë më të lartë si metalet dhe pajisje elektronike. Për më tepër, përballen me diskriminim nga ndërmjetësit dhe tregtarët e skrapit që u ofrojnë paga më të ulëta grave (Kabeer, N. 2013).
Gratë gjithashtu përjetojnë ngacmime dhe dhunë seksuale pothuajse në çdo aspekt të punës dhe jetës së tyre të përditshme. Në vendin e punës, ato janë viktima të abuzimeve verbale të vazhdueshme si thirrjeve ngacmuese, komenteve seksuale dhe fyerjeve poshtëruese nga punëtorët burra, tregtarët e skrapit, punonjësit bashkiakë dhe publiku (Kabeer, N. 2015).
Ngacmimi fizik është gjithashtu shumë i zakonshëm, me raste të prekjeve të padëshiruara, kapjes dhe sulmeve seksuale, sidomos gjatë ndërrimeve të natës kur gratë janë më të pambrojtura (Baruah, B. 2010). Në shumë raste ndodh edhe shfrytëzimi seksual, ku tregtarët, ndërmjetësit apo mbikëqyrësit kërkojnë favore seksuale në këmbim të trajtimit të drejtë, qasjes në materiale apo vazhdimit të punës (Chen, M. A. 2012).
Përtej këtyre përvojave të tmerrshme, gratë punëtore janë gjithashtu viktima të dhunës fizike, vjedhjeve dhe frikësimeve. Ato përballen me rrahje, sulme dhe madje përdhunime nga konkurrentët meshkuj, kriminelët apo oficerët e policisë (Tacoli, C. 2015). Vjedhja e materialeve të mbledhura dhe zhvatja janë gjithashtu të zakonshme, shpesh të kryera nga forcat e rendit ose bandat lokale (Satterthwaite, D. 2004). Mbi të gjitha, pavarësish përhapjes së lartë të kësaj dhune, shumë pak gra raportojnë rastet për shkak të stigmatizimit, frikës nga hakmarrja dhe mungesës së besimit në autoritete të cilat shpesh janë vetë autorët e dhunës dhe gjithashtu për shkak të mungesës së shërbimeve ligjore apo mbështetëse (Grown, C. 2005).
Përfundim
Në përfundim, përballja me këtë krizë kërkon të shkojmë përtej qasjeve të ngushta për menaxhimin e mbeturinave, drejt një vizioni socialisht rikuperues të ekonomive qarkore. Kjo përfshin vlerësimin e kujdesit dhe punës mjedisore, jo vetëm fitimin, si dhe ndarjen e barabartë të përfitimeve dhe barrave, duke vendosur në qendër dijen dhe rolin e komuniteteve të margjinalizuara.
Punëtorët e sektorit të menaxhimit të mbeturinave kanë zbatuar parimet e ekonomisë rrethore për shumë kohë me burime minimale. Në vend që t’i shfrytëzojmë, t’i zhvendosim apo t’i poshtërojmë, duhet t’i njohim, t’i mbështesim dhe të mësojmë nga përvojat e tyre. Provat e paraqitura në këtë artikull të shkurtër tregojnë qartë se si diskriminimi çon në kriza të mëtejshme, jo vetëm në mjedisin që na rrethon, por edhe në jetët njerëzore dhe dinjitetin e tyre. Ajo që mbetet është vullneti politik dhe angazhimi moral për drejtësi.