GRUPI SPIRAL

Në kuadër të edicionit të parë të Ditëve të Hapura të Laboratorit 2026, grupi SPIRAL, kanë shtyrë kufijtë e artit eksperimental dhe qëndrueshmërisë mjedisore. Përmes shfrytëzimit të hapësirës dhe teknologjisë sonë, Elira Musliu, Erijona Muji dhe Erblina Karaliti kanë konkretizuar një instalacion artistik ku mbeturinat plastike nuk shihen më si mbetje, por si elemente ndërtuese të një mesazhi të fuqishëm social.

Projekti u finalizua me krijimin e një prototipi për një instalacion publik në formë të kupolës arkitektonike, e cila është e ndërtuar tërësisht prej shisheve të plastikës të mbicikluara. Ky proces realizimi gërshetoi në mënyrë harmonike mbiciklimin me teknologjitë moderne të prodhimit. Për të mundësuar qëndrueshmërinë e strukturës dhe lidhjen e shisheve mes vete, u përdor 3D printeri për krijimin e nyjave lidhëse, të cilat u hartuan paraprakisht përmes programeve për modelim tredimensional.

Paralelisht me këtë, saktësia e formës dhe studimi i maketës u arrit përmes teknikës së prerjes me laser, e cila mundësoi një paraqitje të detajuar të modelit përpara se ai të konkretizohej në përmasa reale. Kjo vepër bën bashkë arkitekturën bashkëkohore dhe mbrojtjen e mjedisit, duke ofruar një përvojë të veçantë vizuale dhe hapësinore që fton publikun të reflektojë mbi ripërdorimin e mbetjeve dhe potencialin e madh të artit eksperimental në transformimin e hapësirave tona publike. Projekti "SPIRAL" dëshmon se kur kreativiteti takon teknologjinë, mbetjet mund të shndërrohen në monumente të ndërgjegjësimit ekologjik.

