RAY CHAIR

Në kuadër të edicionit të dytë të Ditëve të Hapura të Laboratorit 2026, Prentina Rama zhvilloi projektin “RAY CHAIR”, një karrige për fëmijë që eksploron mundësitë e dizajnit të qëndrueshëm përmes proceseve digjitale të projektimit dhe fabrikimit.

Gjatë zhvillimit të projektit, Prentina ka përdorur programe CAD, përkatësisht AutoCAD, për modelimin dhe përpunimin e dizajnit të karriges, duke i mundësuar testimin dhe rafinimin e formës, dimensioneve dhe detajeve konstruktive para realizimit fizik të prototipit. Më pas, komponentët e karriges janë prodhuar duke shfrytëzuar teknologjinë e prerjes me laser (laser cutting) në laborator, e cila siguron saktësi të lartë në prodhim dhe minimizon humbjen e materialit.

“RAY CHAIR” është konceptuar si një produkt i qëndrueshëm, i ndërtuar pa përdorimin e ngjitësve apo materialeve artificiale dhe sintetike të paqëndrueshme. Projekti vendos theks të veçantë edhe te ergonomia, duke synuar të krijojë një karrige që ofron rehati, mbështetje dhe siguri për fëmijët, pa bërë kompromis estetikën dhe funksionalitetin.

Përmes këtij projekti, Prentina demonstron se si mjetet digjitale të projektimit dhe teknologjitë moderne të fabrikimit mund të kombinohen për të krijuar produkte të përditshme që respektojnë parimet e dizajnit të përgjegjshëm dhe prodhimit me zero mbetje.