SHFAQJE FILMI // Samsara (2011) // A jemi pjesë apo të ndarë prej natyrës?

Kino ARMATA dhe DYVÓ prezantojnë serinë e bashkëpunimeve të përmuajshme mbi temën e ndryshimit klimatik dhe ambientit. Çdo muaj do të shfaqen filma që trajtojnë relacionet tona me natyrën, kafshët, mjedisin dhe temat si ndotja plastike dhe ndryshimi klimatik të përcjellura me diskutime dhe reflektime pas shfaqjes së filmit. Bashkëpunimin e parë e hapim me filmin “Samsara” të regjisorit Ron Fricke, një film poetik mbi jetën industriale që është bërë pjesë e jona e pashmangshme. Sa jemi të vetëdijshëm për mënyrën si jetojmë, por sa jemi të vetëdijshëm për mënyrën se si konsumojmë si shoqëri? A jemi pjesë e natyrës apo e shohim atë si diçka të ndarë prej nesh të cilën ne mund ta shfrytëzojmë? A janë shprehitë tona të ndryshueshme dhe a mund ta evitojmë bashkë një ngjarje që ndryshe ka mundësi të jetë katastrofale për tokën? Shpresojmë se ky film na frymëzon drejt një ndërgjegjësimi të ri për ambientin rreth nesh. I filmuar në njëzet e pesë vende gjatë një periudhe pesëvjeçare dhe i vlerësuar për pamjet dhe muzikën e tij magjepsëse, ky film kap si të lodhshmen, ashtu edhe të mrekullueshmen dhe thellësitë më të mëdha të shpirtit njerëzor.