UPCYCLING WORKSHOPS: ACCESSORIES

PUNËTORITË E MBICIKLIMIT: AKSESORË

Gjatë muajit maj 2026, organizuam me sukses dy punëtori kreative të mbiciklimit të dedikuara krijimit të aksesorëve nga mbetjet plastike. Pas interesimit të madh dhe rezultateve shumë pozitive që kjo temë pati gjatë vitit të kaluar, punëtoritë për aksesorë u rikthyen sërish këtë vit, duke vazhduar të frymëzojnë pjesëmarrësit që kreativitetin ta kombinojnë me kujdesin për mjedisin.

Pjesëmarrës të grupmoshave të ndryshme u mblodhën për të mësuar teknika të reja të transformimit të materialeve të përdorura në produkte të dobishme dhe estetike. Përmes procesit të mbiciklimit, mbetjet plastike morën jetë të re duke u shndërruar në aksesorë unikë të punuar me dorë. Gjatë punëtorive u krijuan vathë, unaza dhe byzylykë të ndryshëm, secili me karakter dhe stil të veçantë.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të eksperimentojnë me forma, ngjyra dhe dizajne të ndryshme, duke krijuar produkte që pasqyronin personalitetin dhe kreativitetin e tyre. Përveç aspektit artistik, aktiviteti shërbeu edhe si një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e ripërdorimit të materialeve dhe reduktimit të mbetjeve.

Një falënderim i veçantë shkon për mentoren e punëtorisë së parë, Rea Prelvukaj, për përkushtimin, energjinë dhe mbështetjen e vazhdueshme që solli gjatë aktivitetit. Kontributi i saj ishte i rëndësishëm në udhëheqjen e pjesëmarrësve përgjatë procesit kreativ dhe në krijimin e një atmosfere të hapur e frymëzuese.