Plastic Fossils: A Legacy Set in Stone

Fosile Plastike: Një Trashëgimi e Gdhendur në Gur

Në një vijë bregdetare të largët të plazhit Kamilo në Havai, shkencëtarët zbuluan diçka të pazakontë dhe shqetësuese: një gur të përbërë nga plastikë e shkrirë. Ata e quajtën plastiglomerat. Në pamje të parë duket si një gur i zakonshëm, por brenda tij gjenden copa kapakësh shishesh, ambalazhe dhe materiale të tjera plastike të shkrira së bashku me rërë, lavë dhe guaska. Me fjalë të tjera, është mbeturinë e shndërruar në gur.

Kur plastika nxehet, shpesh në zjarret e kampimit në plazh ku digjen mbeturina plastike, ajo shkrihet dhe rrjedh si një masë e trashë mbi rërë dhe mbi mbetjet përreth. Më pas, kur ftohet, ajo ngurtësohet duke lidhur materialet natyrore së bashku në një masë të fortë. Si rezultat krijohet një material hibrid, pjesërisht natyror dhe pjesërisht mbetje sintetike. Ndryshe nga plastika e lirë, e cila mund të shpërndahet nga era ose të notojë në det, ky material i ri mund të bëhet i rëndë dhe i dendur. Andaj, kjo peshë shtesë do të thotë se ka më shumë gjasa të mbetet në një vend të caktuar, të mbulohet nga sedimentet dhe potencialisht të zgjasë për një kohë shumë të gjatë, si një lloj fosili.

Shkencëtarët kanë identifikuar dy lloje plastiglomerateve:

  • Plastiglomeratet in situ: formohen kur plastika e shkrirë ngjitet drejtpërdrejt në shkëmbinj ose në lavë në plazh dhe zakonisht mbeten aty ku janë formuar.
  • Plastiglomeratet klastike: janë copa të thyera që përmbajnë plastikë të përzier me rërë dhe fragmente gurësh. Këto mund të transportohen nga uji ose era përpara se të vendosen përfundimisht në një vend tjetër.

Ajo që i bën plastiglomeratet të rëndësishme nuk është vetëm pamja e tyre e çuditshme, por edhe ajo që përfaqësojnë. Gjeologët po propozojnë që këto materiale të konsiderohen pjesë e Antropocenit, term ky i përdorur për një epokë e re gjeologjike e karakterizuar nga ndikimi i thellë i aktivitetit njerëzor mbi planetin. Plastiglomeratet shihen si një shenjues i mundshëm i kësaj epoke, sepse ato regjistrojnë drejtpërdrejt praninë e polimereve sintetike, material ky që nuk ekzistonte para shekullit të njëzetë, ku edhe krijon vetë regjistrit shkëmbor në Tokë.

Përtej gjeologjisë, plastiglomeratet tregojnë edhe një histori kulturore. Ato janë mishërimi fizik i kulturës së konsumit dhe të hedhjes së mbeturinave. Çdo fragment i shkrirë, dikur kishte një funksion praktik si shishe, enë ose paketim, përpara se të hidhej. Përmes nxehtësisë dhe presionit, këto objekte shndërrohen në diçka më të qëndrueshme sesa vetë përdorimi i tyre fillestar: në pjesë të arkivit gjeologjik të planetit.

Në këtë kuptim, plastiglomeratet simbolizojnë mbeturinat si trashëgiminë tonë kolektive. Shumë kohë pasi materialet organike të kalben dhe zhduken, plastika do të vazhdojë të qëndrojë. E shkrirë në gur, ajo mund të zgjasë më gjatë se shumë prej strukturave dhe sistemeve që e prodhuan. Gjeologët e së ardhmes, mijëra apo edhe miliona vite nga tani, mund të çajnë një gur që duket i zakonshëm dhe të zbulojnë brenda plastikë të vulosur, të ruajtur si një fosil i kohës sonë. Në vend të eshtrave apo gjetjeve të lashta, ata mund të gjejnë fragmente shishesh, ambalazhesh dhe objektesh të përditshme si gjurmë i një qytetërimi të formësuar nga komoditeti, prodhimi masiv dhe kultura e hedhjes së shpejtë. Ajo që ne sot e konsiderojmë të përkohshme mund të shndërrohet në një dëshmi të qëndrueshme të mënyrës se si kemi jetuar dhe të vlerave që kemi pasur.

Burimi: Corcoran, P. L., Moore, C. J., & Jazvac, K. (2014). An anthropogenic marker horizon in the future rock record. GSA Today, 24(6), 4–8. https://doi.org/10.1130/GSAT-G198A.1